GUTERRES: ZËRI I MALIT TË ZI ËSHTË JASHTËZAKONISHT I RËNDËSISHËM PËR OKB-në

Mali i Zi është një anëtar aktiv i Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe një faktor stabiliteti në rajon, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në një takim me ministrin e Jashtëm Fillip Ivanoviq, i cili ndodhet në një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara.

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, Guterres, duke folur për mbështetjen e vendeve të vogla dhe Samitin për të Ardhmen, tha se zëri i Malit të Zi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për OKB-në.

Ivanoviq ka diskutuar me Guterres për stabilitetin dhe prosperitetin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, vizionin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe krizat aktuale globale, kërcënimet e sigurisë dhe konfliktet.

“Të dyja palët vlerësuan se dialogu, përkushtimi për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve me mjete diplomatike, me solidaritet dhe unitet, si dhe ofrimi i ndihmës humanitare për civilët, janë prioritet dhe detyrim i bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Bashkëbiseduesit theksuan se është i domosdoshëm bashkëpunimi i ngushtë dhe sinergjia e të gjithë aktorëve, për të tejkaluar sfidat në rritje dhe për të gjetur zgjidhje të përhershme për konfliktet aktuale.

Guterres vuri në dukje përpjekjet që OKB-ja po bën në këtë drejtim dhe falënderoi Malin e Zi për rolin dhe kontributin e tij konstruktiv në qëllimet e përbashkëta të OKB-së.

SHARE