Është mbajtur në Prishtinë Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë me përfaqësues të institucioneve, bizneseve vendore dhe kroate. Në kuadër të këtij Forumi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Kroacia janë të lidhura ngusht me njëra-tjetrën politikisht, historikisht por edhe gjeografikisht, ndërsa ka ardhur koha që të forcohet po ashtu edhe lidhja ekonomike. Kurti tha se ndjehet i sigurt se dy shtetet janë në rrugën e sigurt për ta bërë forcimin e lidhjes ekonomike. “Eksportet tona në Kroaci janë trefishuar ndërkaq importet nga Kroacia janë dyfishuar. Për momentin janë më shumë se 160 kompani kroate që po punojnë në Kosovë me rreth 650 punëtorë. Jam i sigurt se këto shifra vetëm sa do të rriten në javët, muajt e vitet në vijim”, theksoi Kurti.
Plenkoviq: Kroacia e përkrah rrugën evropiane të Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se është koha për t’i përmirësuar marrëdhëniet ekonomike në përgjithësi midis dy vendeve, derisa shtoi se është i kënaqur që në forum po marrin pjesë më shumë se 50 sipërmarrës kroatë, si mundësi për të bërë shkëmbime tregtare mes biznesmenëve. “Kroacia e përkrah rrugën evropiane të Kosovës. Isha shumë i kënaqur që Kosova ka dorëzuar anëtarësimin për në BE në dhjetor në Presidencën Çeke dhe ne do të vëmë në dispozicion gjithë dijen dhe eksperiencën tonë për të mbështetur përgatitjet drejtë anëtarësimit final në BE”, theksoi Plenkoviq. Ndër temat kryesore kanë qenë bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, bashkëpunimi i Odave Ekonomike, bashkëpunimi në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës; bashkëpunimi në edukim, turizëm, e të tjera. Në fund të pjesës së parë të forumit u nënshkrua edhe një marrëveshje në fushën e turizmit midis ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari dhe ministrit të Turizmit dhe Sportit të Kroacisë, Tonçi Glavina.