FOKUS – KRIJIMI I NJË ADMINISTRATE DIGJITALE MODERNE DHE TRANSPARENTE E PËRSHTATUR PËR QYTETARËT DHE BIZNESET

Në takimin tradicional vjetor të kryeministrit të Malit të Zi Millojko Spajiq dhe ministrave në Qeverinë e Malit të Zi me biznesmenë, sot në Dhomën e Tregtisë, ka folur ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Ai theksoi mundësitë që mund të shfrytëzohen nga Programi i Evropës Digjitale, i cili synon rritjen e konkurrencës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe në këtë kuptim njohu bashkëpunimin e mirë ndërmjet administratës publike dhe biznesit si faktor kyç suksesi.

Siç thuhet në njoftim, vendosja e shërbimeve të reja elektronike për funksionim më efikas të biznesit është një nga prioritetet e kësaj Qeverie.

“Futja e administratës pa letra në funksionimin e Qeverisë, përdorimi i dokumenteve elektronike, si dhe shërbimet e besimit, janë disa nga imperativat e Ministrisë së Administratës Publike, të cilat do të çojnë në një mjedis më të mirë biznesi”, njoftoi Ministria e Administratës Publike.

Më tej shtohet se me përfshirjen e përfaqësuesve të shoqatave të biznesit, TIK-ut dhe komuniteteve inovative në hartimin e akteve strategjike në fushën e digjitalizimit, si dhe në Ekipin Koordinues të Qeverisë për Transformimin Digjital, Qeveria është treguar e hapur për partneritet dhe gjithëpërfshirje.

SHARE