Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u zotua se do të punojë me “urgjencë” për zgjidhje diplomatike, me qëllim që t’i jepet fund ofensivës së Izraelit në Liban, por tha se fillimisht është thelbësore që të ketë mirëkuptim për çarmatosjen e Hezbollahut.
Gjatë takimit me kryeministrin libanez, Najiv Mikati, në Londër, Blinkeni po ashtu u zotua për mbrojtjen e civilëve, por nuk kërkoi një armëpushim të menjëhershëm nga Izraeli, i cili varet nga mbështetja diplomatike dhe ushtarake e SHBA-së.
“Ne kemi një ndjenjë të urgjencës për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike dhe zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të ketë një siguri të vërtetë përgjatë kufirit mes Izraeli dhe Libanit”, tha Blinken për gazetarët, duke shtuar se është i angazhuar “në mënyrë intensive”.
Blinkeni tha se është thelbësore që të ketë “mirëkuptimin e nevojshëm për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701”.
“Sa më shpejt që të bëhet kjo, aq më shpejt do të arrijmë te një zgjidhje”, tha Blinken.
Ai bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe ushtarëve libanezë, pasi të paktën 11 nga ta janë vrarë që kur Izraeli nisi ofensivën tokësore në Liban muajin e kaluar.
SHBA-ja ka bërë thirrje për forcimin e Forcave të Armatosura të Libanit dhe Qeverisë së brishtë qendrore në Bejrut, në mënyrë që të mund të ketë ndryshim të sigurisë dhe Hezbollahu të lihet në hije.
Kryeministri libanez Mikati tha se vetëm shteti dhe ushtria libaneze duhet të ketë armë.