MILLATOVIQ: EMËRIMET NË DREJTËSI DERI NË FUND TË VITIT, ANËTARËSIMI NË BE DERI NË VITIN 2028

Forcimi i shtetit ligjor në Mal të Zi do të jetë një sinjal i rëndësishëm se vendi po përparon, tha presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq.

Ai në një intervistë për “The Guardian” tha se është realiste që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.

“Nën udhëheqjen time, ka zero tolerancë për korrupsionin dhe shumica e re parlamentare do të bëjë emërime në gjyqësor deri në fund të vitit”, tha Millatoviq për gazetën londineze.

Ai nuk konteston se deri më tani nuk ka pasur konsensus politik se kush duhet t’i plotësojë pozitat vakante në gjyqësor, përfshirë edhe pozitën e prokurorit suprem të shtetit.

Siç shkruan “The Guardian”, presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi thotë se BE-ja mund të tregojë përkushtimin e saj të përtërirë ndaj parimit të zgjerimit duke pranuar brenda pesë viteve kandidatin e vjetër, Malin e Zi.

“Anëtarësimi ynë do të ishte një histori më shumë sesa vetë Mali i Zi. Kjo do t’u tregonte vendeve që duan të bashkohen se rruga drejt reformave ia vlen,” tha Millatoviq.

SHARE