KURTI: NUK DO TË KETË SHTYRJE TË AFATIT PËR NDRYSHIMIN E TARGAVE ILEGALE NË “RKS”

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për regjistrimin e targave ilegale “KM”, “PZ”, “PR”, e të tjera që qarkullojnë në komunat veriore me shumicë serbe në ato legale “RKS”.  Në një deklaratë pas fjalës së tij në Samitin e Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, Kurti tha se afati përfundimtar i legalizimit të targave është me 31 tetor derisa edhe një herë u bëri thirrje qytetarëve serbë që t’i ndryshuar targat ilegale në “RKS”. Kryeministri Kurti tha se janë më pak se 10 mijë vetura me targa ilegale dhe veturat tjera me targa ilegale në komunat me shumicë serbe janë legalizuar gjatë viteve. Kurti tha se këto masa nuk janë kundër serbëve, përkundrazi pro serbëve, sepse sipas tij, serbëve u ofrojnë lehtësime financiare. “Nuk mund të jemi të barabartë në republikë nëse dikush ka targa RKS ndërsa dikush dëshiron që t’i mirëmbajë ato të KM”, theksoi Kurti duke nënvizuar se po e zbaton ligjin. Kurti tha se Qeveria e Kosovës dëshiron zbatimin e ligjit por në të njëjtën kohë kujdeset edhe për çështjen e sigurisë dhe për këtë ai tha se është vazhdimisht në kontakt me ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Policisë, si dhe me komandantin e KFOR-it dhe ambasadorin amerikan. “Ne nuk duam që t’i befasojmë aleatët, ne duam t’i befasojmë kriminelët të cilët nuk i ndajmë në përkatësi etnike”, theksoi Kurti. Ai tha se problem më i madh që po i shkaktohet fushatës së Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e targave nga ilegale në ato legale (RKS) është fushata negative me burim në Beograd, por edhe aktet kriminale të dhunës ndaj disa personave që i kanë ndryshuar targat në “RKS”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se partnerët ndërkombëtarë duhet të adresojnë presionin te Serbia, që sipas saj, është burim i tensioneve. Osmani ka thënë se bandat ilegale në veri nuk po i lënë serbët t’i ndryshojnë targat ilegale në ato “RKS”. Afati për ndërrim të targave ilegale në ato RKS, filloi nga 1 shtatori ndërsa përfundon më 31 tetor.

SHARE