Foto: Luka Zeković
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi, Srgja Kekoviq, ka deklaruar se sindikatat nuk do të heqin dorë nga kërkesa për rritjen e vlerës llogaritëse të koeficientit nga 90 në 100 euro dhe presin që kjo të zbatohet për pagat e tetorit.
Ai tha se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk është në fuqi që nga 30 prilli dhe paralajmëroi se modeli i ri i pagave, i njohur si “Euro Modeli”, duhet të jetë i qëndrueshëm, të mos çojë në barazimin e pagave dhe të shoqërohet me masa për frenimin e rritjes së çmimeve.
Sipas Kekoviqit, më shumë se 100 mijë të punësuar varen drejtpërdrejt nga të drejtat që rregullohen me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, përfshirë shtesat për punën jashtë orarit, punën gjatë natës, festave dhe të dielave, pushimet e paguara dhe kompensimet e largimit nga puna.
Ai tha se mungesa e kësaj marrëveshjeje ka krijuar hapësirë që disa punëdhënës të mos i respektojnë këto të drejta.
Kekoviq kujtoi se dy qendrat përfaqësuese të sindikatave dhe Unioni i Punëdhënësve kishin arritur që në dhjetor një marrëveshje parimore për rritjen e vlerës së koeficientit nga 90 në 100 euro, si dhe për rritjen e koeficientëve për kompleksitetin e vendeve të punës.
Sipas tij, Qeveria është e gatshme që kjo rritje të zbatohet nga paga e tetorit, çka do të sillte një rritje prej rreth 10 deri në 12 për qind për punonjësit.
Duke folur për modelin e ri të pagave, Kekoviq tha se rritja e pagave është një përfitim i rëndësishëm, por paralajmëroi se efekti i saj mund të zbehet nëse njëkohësisht rriten çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Ai kërkoi kontroll më të madh të tregut, kufizim të marzheve aty ku është e nevojshme dhe masa më të rrepta ndaj abuzimeve me çmimet.
Kekoviq shprehu gjithashtu shqetësimin për rrezikun e “barazimit të pagave”, pasi modeli i ri parashikon tri paga minimale dhe ndryshime në kontributet për Fondin PIO.
Megjithatë, ai tha se sindikatat nuk do ta pengojnë modelin nëse për të ekziston konsensus më i gjerë, por do të kërkojnë që pas rritjes së pagave minimale të vendoset një hierarki e re pagash, në përputhje me kualifikimin, kompleksitetin dhe përgjegjësinë e punës, kushtet e punës dhe përvojën.









