9,4 MILIONË TË HUAJ HYNË NË SHQIPËRI NË 8 MUAJ, RRITJE ME 5,3%

Shqipëria ka regjistruar mbi 9,4 milionë hyrje të shtetasve të huaj në tetë muajt e parë të vitit 2026, duke ruajtur një ecuri pozitive të flukseve turistike krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT, nga janari deri në gusht në territorin shqiptar janë regjistruar 9 443 700 hyrje të shtetasve të huaj, nga 8 969 002 në tetëmujorin e vitit 2025. Rritja vjetore është 5,3%, ose rreth 475 mijë hyrje më shumë.

Në gusht 2026 u regjistruan 2 429 532 hyrje të shtetasve të huaj nga 2 381 864 hyrje që ishin në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje me 2%.

Ndërkohë në total, gjatë gushtit u regjistruan 3 459 588 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, 2,7% më shumë se në gushtin 2025. Hyrjet e shtetasve shqiptarë u rritën me 4,4%, duke arritur në 1 030 056 persona.

Referuar statistikave, në tetë muaj, edhe hyrjet e shtetasve shqiptarë kanë shënuar rritje. Ato arritën në 6 008 853, ose 6, 2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ndërsa sipas muajve rezulton ngadalësim në muajin gusht, pasi korriku shënoi një rritje të fortë, ku hyrjet e të huajve u rritën me 7,1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Janari shënoi rënie prej 1,5%, ndërsa shkurti mbeti pothuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë. Ritmi u përshpejtua më pas, me rritje prej 10,8% në mars, 8,8% në prill dhe 15,9% në maj.

Në qershor, rritja ra sërish në vetëm 1,3%, përpara përmirësimit të korrikut.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht ritmit më të moderuar të hyrjeve të të huajve gjatë gushtit, flukset e vizitorëve të huaj në bilancin e periudhës janar-gusht mbeten në rritje. Në të njëjtën kohë, daljet e shtetasve të huaj në gusht u rritën me 7,5%, në 2 516 707 persona.

INSTAT sqaron se statistikat e lëvizjeve të shtetasve bazohen në të dhënat administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe matin flukset e hyrjeve dhe daljeve në pikat kufitare tokësore, detare dhe ajrore.

SHARE