Foto: Vijesti
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e shpejtë të Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar vendin si një nga kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë prezantimit të propozimit për reformimin e procesit të zgjerimit të BE-së në Zagreb, Kos theksoi se metodologjia e zgjerimit duhet të përshtatet me realitetin e ri dhe të mundësojë integrim gradual të vendeve kandidate, në vend të parimit “gjithçka ose asgjë”.
Ajo tha se Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për ta bërë procesin më fleksibël dhe për t’u ofruar vendeve kandidate përfitime konkrete edhe para anëtarësimit të plotë. K
os përmendi Malin e Zi si kandidat që po shënon përparim të shpejtë, krahasuar me vendet e tjera të procesit të zgjerimit.
Sipas saj, zgjerimi i ardhshëm i BE-së kërkon edhe mekanizma më të fortë për mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike, si dhe reforma që do t’i mundësonin një Unioni me më shumë se 30 vende anëtare të funksionojë në mënyrë efikase.
Komisionerja evropiane theksoi se procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet, duke paralajmëruar se pasiguria dhe zvarritja e negociatave mund të shfrytëzohen nga faktorë që kundërshtojnë integrimin evropian.










