Bashkimi Evropian po përgatitet të ndryshojë mënyrën e zhvillimit të procesit të zgjerimit, ndërsa Komisioni Evropian pritet të propozojë një qasje të re për vendet kandidate.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi në Zagreb disa nga idetë kryesore, duke theksuar se procesi duhet t’i përshtatet realitetit të ri evropian.
Një nga propozimet kryesore është integrimi gradual i vendeve kandidate, duke u ofruar atyre përfitime konkrete edhe para anëtarësimit të plotë.
Kos argumentoi se BE-ja duhet të largohet nga logjika “gjithçka ose asgjë”, pasi proceset e gjata të anëtarësimit mund të krijojnë pasiguri dhe të shfrytëzohen nga faktorë kundër integrimit evropian.
Reforma pritet të përfshijë edhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet e reja anëtare, si dhe ndryshime në mënyrën e vendimmarrjes, në mënyrë që një BE me më shumë se 30 vende të jetë më funksionale dhe më efikase.
Në këtë proces, Shqipëria vlerësohet për ritmin e përparimit në përmbushjen e kritereve për sundimin e ligjit. Shqipëria ka nisur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në korrik 2022, ndërsa më 14 korrik 2026 mbylli tre kapitujt e parë të negociatave.
Qeveria shqiptare synon mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Nga zyrtarët evropianë, Shqipëria është vlerësuar për ritmin dhe punën e saj në procesin e integrimit.
Ndërkohë, Kos e cilësoi momentin aktual si një “moment të ri të Helsinkit”, duke përmendur përparimin e Malit të Zi, Shqipërisë, Ukrainës dhe Moldavisë si dëshmi se zgjerimi i BE-së po hyn në një fazë të re.









