Europa po përjeton një valë të nxehti me temperatura përtej normave të muajit maj.
Në Francë, agjencia kombëtare e motit paralajmëroi për temperatura 12 gradë më të larta se mesatarja sezonale. Të dielën, një viktimë u raportua gjatë një gare vrapimi në Paris, ndikuar edhe nga i nxhetë. Dhjetë garues të tjerë morën ndihmë mjekësore në spital.
Edhe Agjencia meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar paralajmëroi sot për “një valë të të nxehtit” me temperatura deri në 33 gradë, të cilat do të thyenin rekordet e temperaturave të majit për vendin. Pavarësisht udhëzimeve nga autoritetet, britanikët kanë mbushur plazhet në perëndim të vendit. Qeveria ka lëshuar disa alarme, përfshirë Londrën, duke vënë në gatishmëri shërbimet shëndetësore.
Spanja dhe Portugalia pritet të përjetojnë nxehtësinë më ekstreme këtë javë. Në disa zona të Portugalisë pritet që termometri të kapë 40 gradë Celsius, ndërsa në Spanjën jugore 38 gradë Celsius.
Një “kupolë nxehtësie” e quajnë meteorologët fenomenin. Ajri i ngrohtë që lëviz lart nga Afrika Veriore është bllokuar nën një sistem me presion të lartë mbi Evropën Perëndimore, sipas tyre.
Fenomeni po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm si rezultat i ndryshimeve klimatike.









