KOSOVË, BETOHEN KRYETARËT E RINJ TË TRE KOMUNAVE VERIORE ME SHUMICË SERBE

Sot janë betuar kryetarët e rinj të zgjedhur të tre komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë: Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.  

Kryetarët e rinj të cilët e fituan garën në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale më 23 prill u zotuan se do të punojnë në të mirë të qytetarëve pa dallim, duke zbatuar ligjin.

Ceremonia e betimit të kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete, në fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Në një deklarim për media, Zeqiri tha se tani e tutje do të ketë nivel më të lartë të përgjegjësisë në shërbime për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.

“Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im”, tha Zeqiri pas betimit.

Ceremonia e betimit për kryetarin e ri të Zveçanit, Ilir Peci, u zhvillua në shkollën fillore “Isa Boletini”, në fshatin Boletin të kësaj komune, derisa vetë kryetari i ri tha se “nuk e di se kur do të mund të ketë qasje në objektin kryesor të komunës”, i cili shfrytëzohet edhe nga strukturat paralele serbe atje.

“Do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit”, tha kryetari Peci.

Betimin e bëri edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica” në fshatin Bistricë të kësaj komune.

Ai tha se aktualisht do ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë në këtë fshat, por, sipas tij, “është afër dita” kur do të shkojë në objektin e komunës.

“Ne u betuam këtu në zyrat e komunës në Bistricë dhe bëjmë apel që njerëzit atje të reflektojnë dhe ta lirojnë Kuvendin Komunal. Ne duhet të marrim kundërvendime. Ne jemi zgjedhur nga votat. Neve na fuqizojnë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë ai.

Javën e kaluar, më 19 maj, me seancë ceremoniale në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, u betua edhe kryetari i ri i kësaj komune, Erden Atiq nga partia Lëvizja Vetëvendosje.

SHARE