LIDERËT E BALLKANIT ZOTOHEN PËR FORCIM TË BASHKËPUNIMIT RAJONAL

Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, konfirmuan se duan të forcojnë bashkëpunimin dypalësh, veçmas me Malin e Zi. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, po merr pjesë për herë të parë në takimet e Davosit si kryeministër i vendit. Ai po ashtu ka zhvilluar edhe takime të ndara me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor. Një takim i përbashkët i krerëve u zhvillua në panelin e titulluar: “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”, i cili u mbajt pas dyerve të mbyllura më 25 maj. Siç njoftoi Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ky panel kishte për synim të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare. Nga Qeveria e Malit të Zi thanë se në këtë takim u diskutua se si Qeveria dhe biznesi mund të punojnë së bashku për të forcuar qëndrueshmërinë e rajonit dhe për të siguruar lidhjet e tij me partnerët kryesorë në një kohë kur rreziku gjeopolitik është në rritje. Krahas Kurtit dhe Abazoviqit, në këtë panel ishin të pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe të tjerë. Në panel nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë. Forumi në Davos mbahet nga 23 deri më 26 maj, pas dy vjetësh pauzë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

SHARE