O’BRIEN: KOSOVA TË PËRPAROJË URGJENTISHT DREJT THEMELIMIT TË ASOCIACIONIT

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha të mërkurën se Kosova duhet të përparojë urgjentisht drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin X, të njohur deri vonë si Twitter, në të cilin njoftoi se është takuar në Gjermani me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka siguruar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

“Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve që dalin nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë përparimin urgjent drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi ai.

Të shtunën zoti O’Brien, gjatë një vizite në Beograd tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar përmbushjen e zotimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit.

SHARE