STANO: BE-ja ËSHTË NË DIJENI PËR VOTËN E SERBISË KUNDËR KOSOVËS

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.

“Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së konfirmoi se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

SHARE