DY BOTIME TË “ART CLUB”-it U PROMOVUAN NË PANAIRIN MBARËKOMBËTAR TË LIBRIT AKADEMIK DHE SHKENCOR

??

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka promovuar të shtunën dy botime të saj, në kuadër të Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që u zhvillua në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë. Paraqitjen e botimit “Pakica shqiptare në Mal të Zi – Midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit” e ka bërë Arben Çejku, ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë, ndërsa të librit të Dr. Nexhat Avdiut “Zhvillimi i turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi – Mundësi e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe rajonal” Dr. Shkëlqim Sirika. Të dy botimet janë vlerësuar për nivelin e lartë të studimit të objektit që trajtojnë. Promovimet janë zhvilluar në formën e diskutimit të hapur për botimet dhe me autorët, në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet në kuadër të Vitit të Akademizmit Shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Panairi u hap të premten dhe u mbyll të dielën.

SHARE