VAZHDON BASHKËPUNIMI PËR KRIJIMIN E NJË FONDI PËR GARANCI KREDIE NË MAL TË ZI

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi Nik Gjeloshaj dhe ministri i Financave Novica Vukoviq u takuan me Remon Zakaria, Shef i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Mal të Zi në lidhje me themelimin e fondit të garancisë së kredisë në Mal të Zi.

Në fillim të takimit, Gjeloshaj falënderoi BERZH-in për mbështetjen që kjo bankë i jep Malit të Zi në disa fusha, të gjitha me synim forcimin e ekonomisë malazeze.

Ai theksoi mbështetjen shumë domethënëse në hartimin e zgjidhjes ligjore për ngritjen e fondit të garancisë së kredive.

“Remon Zakarija tha se qëllimi është krijimi i një fondi garancie të pavarur, të përhershëm, të vetë-qëndrueshëm dhe të besueshëm në Mal të Zi bazuar në përvojën e praktikave më të mira nga e gjithë bota dhe mjedisi, me qëllim që para së gjithash të përmirësohet qasja në financim të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Mal të Zi”, thuhet në njoftim.

Ai tha se pas një prezantimi të shkurtër të modelit të planifikuar për krijimin e një fondi garancie nga konsulentët e angazhuar të BERZH-it, përfaqësuesit e Qeverisë paraqitën pikëpamjet dhe propozimet e tyre në drejtim të modaliteteve të ndryshme të modelit të propozuar, veçanërisht në segmentin e kapitalit themelues të propozuar, të gjitha me synimin për të siguruar stabilitet financiar afatgjatë buxhetor.

“Bashkëbiseduesit ranë dakord që fondi i garancisë së kredisë duhet t’u mundësojë bankave komerciale të vendosin më shumë fonde në financimin e NVM-ve (ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme) dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në rritjen e PBB-së dhe punësimit në Mal të Zi. Bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë dhe BERZH do të vazhdojë në periudhën e ardhshme, me qëllim që të krijohet sa më shpejt fondi i garancisë së kredisë”, përfundon deklarata.

SHARE