DUKAJ – ZHERKA HOXHA: BASHKËPUNIM NË FUSHËN E REFORMËS DHE DIGJITALIZIMIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka takuar sot ambasadoren e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Arijana Zherka-Hoxha.

Ambasadorja Zherka – Hoxha e uroi ministrin Dukaj për mandatin e ri, duke i uruar suksese në punën e tij dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve tradicionalisht miqësore mes dy vendeve.

“Përmes zbatimit të programeve dhe projekteve të përbashkëta dhe zhvillimit më të fuqishëm digjital të vendeve tona, ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje Malit të Zi në të gjitha nivelet, veçanërisht në fushën e reformës së administratës publike dhe digjitalizimit”, tha ambasadorja Zherka – Hoxha.

Ministri Dukaj e njohu ambasadoren me prioritetet e punës së Ministrisë me theks në reformën e administratës publike, digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike, si dhe decentralizimin e vetëqeverisjeve lokale.

“Ne jemi të përkushtuar për zhvillimin digjital dhe modernizimin e administratës publike si segment i rëndësishëm i reformës së administratës publike dhe përvojat e Kosovës në fushën e shërbimeve publike digjitale janë shumë të rëndësishme për ne”, tha ministri Dukaj.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se Mali i Zi dhe Kosova do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen në fushën e administratës publike.

SHARE