GJAKONOVIQ: PA DUNË ARTIFICIALE, STUHIA E ARDHSHME MUND TË JETË FATALE PËR ADËN E BUNËS

Nëse në Adë të Bunës nuk ngrihet një dunë artificiale sa më shpejt që të jetë e mundur, stuhia e radhës mund të jetë fatale për atë vend, tha drejtori i HTP të Rivierës së Ulqinit, Bojan Gjakonoviq. Ai theksoi se situata në Adë, e cila u përmbyt pas reshjeve të dendura, sot është më e mirë. Gjakonoviq në emisionin “Mirëmëngjesi Mali i Zi” tha se uji ka depërtuar nëpër ndërtesa dhe se dëmet duhet të jenë të mëdha. “Plazhi pothuajse është zhdukur. Uji e ka përpirë zonën e notit dhe mund të themi se gjendja është shumë e keqe”, tha Gjakonoviq. Ai shpjegoi se duna artificiale dha rezultate të shkëlqyera vitin e kaluar dhe se nuk kishte dëmtime të mëdha. “Këtë vit, për fat të keq, instalimi i dunës është vonuar. Muajin e kaluar qeveria ka miratuar masa urgjente për instalimin e asaj dune, por për shkak të problemeve administrative dhe dështimit të disa tenderëve, nuk kanë mundur ta zbatojnë atë”, tha Gjakonoviq. Ai tha se, nëse nuk ngrihet një dunë sa më parë, stuhia e radhës mund të jetë fatale për vendbanimin nudist. “Nëse kjo nuk ndodh, ne do të duhet të heqim një numër të konsiderueshëm dhomash në Adë,” tha Gjakonoviq. Ai theksoi se nëse nuk gjendet një zgjidhje afatgjatë, Ulqini mund të mbetet pa plazhet e tij ranore, pa të cilat turizmi në atë qytet nuk do të ekzistonte.

SHARE