40 MIJË DOLLARË NGA QEVERIA PËR TË NDIHMUAR CIVILËT NË PALESTINË

Qeveria e Malit të Zi në seancën e nesërme do të marrë vendim për dërgimin e ndihmave për civilët në Palestinë të cilët janë në gjendje të vështirë për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas Portalit RTMZ, ndihma në vlerë prej 40 mijë dollarësh do të dërgohet përmes programit të Kombeve të Bashkuara.

Më 19 tetor, Qeveria e Malit të Zi pranoi iniciativën e 40 organizatave joqeveritare për dërgimin e ndihmave për civilët në Palestinë dhe i dha dritën jeshile Ministrisë së Financave për të përcaktuar shumën e ndihmës financiare.

Kryeministri Dritan Abazoviq tha në seancë se kjo kërkesë është “plotësisht e justifikuar”.

“Për të ndihmuar financiarisht qytetarët e Palestinës, civilët, fëmijët që u gjendën në vështirësi të jashtëzakonshme pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Ne nuk mbajmë anë, ne ndjekim një politikë paqeje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne ndihmuam Turqinë kur ndodhi tërmeti, ne ndihmuam Slloveninë kur kishte përmbytje, për të mos përmendur Ukrainën, në përqindje më shumë se disa superfuqi evropiane”, tha Abazoviq.

SHARE