KE PRITET TË MBËSHTESË AFATIN E SHQIPËRISË PËR PËRFUNDIMIN E NEGOCIATAVE MË 2027

Komisioni Evropian pritet të mbështesë zyrtarisht synimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, përmes një udhërrëfyesi të ri që do të përcaktojë edhe detyrat prioritare që Tirana duhet t’i përmbushë, raporton Euronews.

Sipas Euronews, Komisioni po punon që procesi i negociatave të Shqipërisë të përmbyllet deri në dhjetor të vitit 2027 dhe po përgatit një udhërrëfyes që do të konfirmojë synimin e Tiranës për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit të ardhshëm.

Shqipëria e ka përcaktuar fundin e vitit 2027 si objektiv për përfundimin e negociatave, ndërsa kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë e kanë përshkruar këtë afat si plan të dakorduar me Komisionin Evropian.

Megjithatë, Komisioni Evropian zakonisht nuk cakton afate për anëtarësimin, pasi procesi i zgjerimit është i bazuar në merita.

“Siç e dini, zgjerimi nuk funksionon me data. Por sa më shumë që një vend i afrohet fundit të pjesës teknike të anëtarësimit, aq më shumë mund të flasim për të ose aq më shumë mund të përdorim vitet”, kishte deklaruar në korrik komisionarja për Zgjerim, Marta Kos.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se së shpejti do të propozohen udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë më së shumti përparim.

“Shumë shpejt do të propozojmë udhërrëfyes për kandidatët që kanë bërë më së shumti përparim”, ka thënë von der Leyen, duke përmendur Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

SHARE