GJYKATA KUSHTETUESE SHTYN PËR 29 SHTATOR VENDIMIN PËR VAKSINIMIN SI KUSHT PËR KOPSHTET

Foto: Ilustrim

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi ka shtyrë për 29 shtator 2026 vendimmarrjen për nismat që kundërshtojnë kushtin e vaksinimit të detyrueshëm për qëndrimin e fëmijëve në kopshtet publike dhe private.

Vendimi, i parashikuar fillimisht për 24 shtator, është shtyrë për shkak të dokumentacionit shtesë të dorëzuar në këtë çështje.

Gjykata tha se dokumentacioni i ri kërkon analizë të mëtejshme, së bashku me të dhënat e mbledhura, argumentet e parashtruesve dhe mendimet e ekspertëve të paraqitura gjatë debatit publik.

Më 15 shtator, Gjykata zhvilloi një seancë publike ku u shqyrtuan argumentet juridike, mjekësore dhe epidemiologjike, ndërsa vaksina mbetet kusht për qëndrimin në kopshte, përveç rasteve me kundërindikacion të përhershëm mjekësor.

SHARE