Dhjetëra mijëra vetëve u është kërkuar të evakuohen nga një zonë pranë Renos, Nevada në SHBA, pasi zjarri masiv pyjor që po mundon zonën, mbërriti në periferi të qytetit.
Rreth 42,000 njerëz janë urdhëruar të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre, ndërsa 45,000 të tjerë janë këshilluar të përgatiten për t’u larguar. Sipas zyrtarëve, zjarri, i cili u raportua për herë të parë të shtunën në mëngjes, deri tani ka shkaktuar gjashtë të plagosur, tre prej të cilëve zjarrfikës. Erërat e forta dhe kushtet e paparashikueshme të motit kanë kontribuar në përhapjen e tij.
Guvernatori i Nevadës, Joe Lombardo, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Washoe dhe ka urdhëruar Gardën Kombëtare t’u bashkohet përpjekjeve për shuarjen e flakëve dhe zbatimin e ligjit. “Ky është një situatë aktive dhe që po zhvillohet me shpejtësi, ndaj i bëj thirrje të gjithëve në zonat e prekura të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale”, tha ai.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri u shkaktua nga faktori njerëzor. Shërbimet lokale të emergjencave thanë se rreth 13,700 banesa ndodheshin brenda zonës së evakuimit, ndërsa ishin ngritur dy qendra strehimi për banorët e zhvendosur.
Reno, në pjesën perëndimore të Nevadës, ndodhet pranë kufirit shtetëror me Kaliforninë dhe ka një popullsi prej rreth 280,000 banorësh.









