Një studim i ri tregon se valët e të nxehtit në Evropë ishin përgjegjëse për mbi 30 mijë vdekje këtë verë.
Sipas analizës, gjithsej 33 mijë vdekje të lidhura me temperaturat e larta u regjistruan në vetëm tetë vende: Austri, Belgjikë, Angli, Francë, Gjermani, Holandë, Portugali dhe Spanjë. Java e fundit e qershorit ishte më vdekjeprurësja e verës, me gati 16 mijë vdekje shtesë të regjistruara.
Kjo u pasua nga java e parë e korrikut, gjatë së cilës u regjistruan rreth 8 mijë vdekje të lidhura me të nxehtin në të gjithë Evropën.
Në Britaninë e Madhe, një studim i kohëve të fundit vlerësoi se valët e të nxehtit gjatë majit dhe qershorit morën më shumë se 2 mijë e 700 jetë njerëzish.
Në Gjermani, deri më 9 gusht u regjistruan rreth 14 mijë vdekje të lidhura me valët e të nxehtit, një rekord që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2016, sipas Institutit Robert Koch.
Në Francë, rreth 7 mijë e 300 njerëz vdiqën nga pasojat e temperaturave të larta midis fundit të majit dhe 22 korrikut.
Dhe numri pritet të rritet, pasi vala e gjatë e të nxehtit që filloi në fund të korrikut sapo ka përfunduar.
Në Spanjë, gati 4 mijë e 500 vdekje iu atribuuan të nxehtit midis 1 qershorit dhe 19 gushtit, ndërsa shifra e përkohshme në Belgjikë është edhe më alarmante, duke marrë parasysh popullsinë relativisht të vogël të vendit.
Sipas vlerësimeve, në Belgjikë u regjistruan 2 mijë e 570 vdekje shtesë midis 18 qershorit dhe 17 korrikut.
Në Holandë u regjistruan 968 vdekje shtesë midis 22 qershorit dhe 5 korrikut, në Austri 396, ndërsa në Portugali më shumë se 600 vdekje nga mesi i qershorit deri në fund të korrikut.







