DIOGUARDI: KOSOVA DUHET TA KETË PRESIDENTIN, ARMIQTË JANË TË GATSHËM TA PRISHIN EKUILIBRIN NË BALLKAN

Ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi ka bërë thirrje që Kosova të zgjedhë sa më shpejt presidentin e vendit, duke paralajmëruar se zvarritja e procesit mund ta vendosë Kosovën në një situatë të vështirë. Ai tha se në rajon ka ende faktorë që, sipas tij, janë të gatshëm të prishin ekuilibrin në Ballkan.

DioGuardi, gjatë qëndrimit në Kosovë, tha se ka ardhur për të dhënë zërin e tij dhe për të “zgjuar popullin shqiptar”, duke theksuar se nuk është koha për pasivitet.

Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm për arritjet e tyre, pasi ekzistojnë njerëz dhe struktura që mund të përpiqen t’ua marrin ato. Ai theksoi se zgjedhja e presidentit është veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë dhe shprehu shpresën që kreu i shtetit të zgjidhet sa më shpejt.

“Unë jam këtu me ju për t’u siguruar që ju të keni një president dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se të largohem. Nëse nuk ndodh, ju do të jeni në telashe të mëdha, sepse tashmë keni armiq të gatshëm për ta prishur ekuilibrin në Ballkan”, deklaroi DioGuardi.

Ish-kongresisti amerikan foli edhe për rrugëtimin e tij personal dhe politik, duke kujtuar fëmijërinë e tij në Bronx dhe punën që kishte bërë që në moshë të vogël në biznesin ushqimor të familjes.

Ai tha se këto përvoja e kishin mësuar për rëndësinë e punës, këmbënguljes dhe përballjes me sfidat.

DioGuardi foli edhe për historinë e Kosovës dhe luftën e shqiptarëve për liri.

Ai tha se shqiptarët e Kosovës nuk e nisën dhunën, por u detyruan të ngriheshin për të mbrojtur njerëzit që ishin në rrezik.

Sipas tij, është e rëndësishme që sot të kujtohet rrugëtimi që çoi deri te rrëzimi i regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe më pas te pavarësia e Kosovës.

Ai vlerësoi se viti 2026 duhet të jetë një moment për të reflektuar mbi historinë dhe për të marrë vendime se si Kosova mund të ecë përpara.

DioGuardi theksoi se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar dhe aktivë në mbrojtjen e interesave të tyre, duke përcjellë mesazhin se arritjet e deritanishme nuk duhet të merren si të mirëqena.

SHARE