SPAJIQ: SFIDAT GLOBALE NUK MUND TË ZGJIDHEN PA BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se sfidat globale, si inflacioni, kriza energjetike dhe ndryshimet klimatike, nuk mund të zgjidhen në mënyrë individuale, por vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Spajiq po merr pjesë në Takimin Vjetor të Liderëve të Rinj të Forumit Ekonomik Botëror, i njohur si “Davosi Veror”, i cili po mbahet në qytetin Dalian të Kinës dhe mbledh mbi 1.700 liderë nga fusha të ndryshme.

“Askush nuk mund t’i zgjidhë i vetëm sfidat globale si inflacioni, kriza energjetike dhe ndryshimet klimatike”, shkroi Spajiq në platformën X.

Ai shprehu kënaqësinë që po merr pjesë në një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar ekonomisë, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Është kënaqësi që së bashku me më shumë se 1.700 liderë globalë nga fusha të ndryshme po marr pjesë në Takimin Vjetor të Liderëve të Rinj të Forumit Ekonomik Botëror, të ashtuquajturin Davos Veror, që po mbahet në Dalian”, tha kryeministri.

Takimi i sivjetshëm zhvillohet nën moton “Innovating at Scale” (“Inovacion në shkallë të gjerë”), me fokus te inovacioni, zhvillimi teknologjik dhe rritja ekonomike.

“Të bashkuar nën moton e këtij viti ‘Innovating at Scale’, po krijojmë mundësi për një kohë të re, për inovacion dhe rritje ekonomike, në mënyrë që t’u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë dhe planetit”, porositi Spajiq.

SHARE