KEKOVIQ: QEVERIA PO PLANIFIKON RRITJEN E PAGAVE PARA ZGJEDHJEVE

Foto: Mediabiro

Unioni i Sindikatave të Lira të Malit të Zi ka paralajmëruar protestë para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të mbi 100 mijë punëtorëve që, sipas tyre, kanë humbur garancitë e parashikuara me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, e cila nuk është në fuqi që nga 30 prilli.

Sekretari i përgjithshëm i Unionit të Sindikatave të Lira, Srgja Kekoviq, akuzoi kryeministrin Millojko Spajiq dhe Qeverinë për vonesa në arritjen e një marrëveshjeje të re kolektive.

Ai tha se sindikata prej muajsh kërkon rritjen e koeficientëve të pagave dhe rritjen e vlerës llogaritëse të koeficientit nga 90 në 100 euro bruto.

Kekoviq pretendon se Qeveria po kursen në kurriz të punëtorëve dhe se ka informacione se rritja e pagave mund të realizohet vetëm para zgjedhjeve të ardhshme, për qëllime politike.

Ai paralajmëroi se, nëse nuk ka përparim konkret pas protestës, sindikata do të vazhdojë me masa më të ashpra.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Kryesor të Unionit të Sindikatave të Lira, Jovan Drashkoviq, kritikoi mosrespektimin e afateve të dakorduara në Këshillin Social, duke thënë se dialogu social po humbet kuptimin nëse marrëveshjet nuk zbatohen.

Ai paralajmëroi se sindikata mund të rishqyrtojë pjesëmarrjen e saj në këtë trup nëse situata vazhdon njësoj.

Përfaqësuesit e sindikatës u bënë thirrje punëtorëve dhe qytetarëve që t’u bashkohen protestës, duke theksuar se mbeten të hapur për dialog, por nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre për paga dhe kushte më të mira pune.

SHARE