Foto: Zhurnal
Përgatitja e marrëveshjes së nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ishte mjaft transparente dhe kjo është një nga arsyet për shqetësim, tha kryetari i delegacionit parlamentar të Parlamentit Evropian me Malin e Zi, Thomas Weiss.
“Është e rëndësishme të respektohet pjesëmarrja e qytetarëve, që programet dhe projektet e zhvillimit të turizmit mund të realizohen vetëm nëse mbështeten nga komuniteti lokal, ndaj nuk mund të vendoset pa përfshirjen e autoriteteve vendore”, thotë Weiss.
Siç thotë ai, pikërisht këto janë shqetësimet që kanë shkaktuar shumë kritika edhe për këtë marrëveshje.
“Tani është marrë vendimi i parë në Parlament. Të shohim si do ta vlerësojë Presidenti dhe nëse do t’i kthejë marrëveshjet në Parlament apo jo. Kam përshtypjen se mund të kemi një debat të dytë për këtë dhe ndoshta nevojiten disa rregullime për të përmbushur të gjitha kërkesat ligjore sipas Kushtetutës së Malit të Zi, si dhe rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Weiss.
Ai shton se Mali i Zi është shtet i pavarur dhe ka bashkëpunim me vendet e tjera, por edhe me vendet anëtare.
“Në parim nuk ka asgjë të keqe, por duhet të sigurohemi që të respektohen të drejtat e komuniteteve lokale dhe të respektohet legjislacioni mjedisor. Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që të ketë transparencë se nga vijnë paratë dhe nëse e dini rolin e Emirateve të Bashkuara Arabe, fatkeqësisht transparenca nuk është forca e tyre më e madhe, por është vendimi i tyre. Por kur investojnë në një vend të BE-së ose në një vend që hyn në BE, ne duhet të sigurohemi që paratë të vijnë nga burime të ligjshme dhe të kemi transparencë”, thekson Weiss.
Ai konkludoi se kur bëhet fjalë për proceset vendimmarrëse në të cilat projektet mbështeten nga Qeveria, duhet transparencë dhe mundësi që qytetarët, por edhe komunitetet lokale të kenë zërin e tyre.