Parlamenti Europian aprovoi planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, përmes paketës 6 miliardë euroshe, nga e cila rajoni pret përfitime të mëdha të prekshme.
OK- i PE-së erdhi në seancën e parafundit përpara zgjedhjeve të reja të bllokut në muajin qershor.
Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë.
Pas dritës jeshile të PE-së, paketa kalon edhe në tryezën e Këshillit të Bashkimit Europian, e fill paskësaj, mund të nisin pagesat e para për përfituesit. 2 miliardë euro prej saj, vendet e rajonit i marrin në formën e ndihmës pa kthim, ndërsa 4 miliardë vijnë si kredi me kushte të favorshme.
Kriteret që duhen përmbushur megjithatë për të përfituar nga kjo nismë e Brukselit nuk janë dhe aq të lehta.
Kushtet bazike të ndihmës kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren, e përpos atyre që lidhen me reformat dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian.
Në vendimet finale për pagesat do të përfshihen Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së përmes Këshillit.
Kërkohet edhe transparencë në procesin e prokurimit si dhe hetime serioze në rastet e shkeljes së rregullave, apo në rast mashtrimesh.