KOSOVË, KQZ-ja PUBLIKON REZULTATET E ZGJEDHJET LOKALE NË KATËR KOMUNAT NË VERI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. 

Prej gjithsej 45.095 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut, vetëm 3,47 për qind e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut votuan gjithsej 837 qytetarë apo 4,62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, në Leposaviq votuan 141 votues apo 1,06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5,78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2,92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna. VV-ja do të udhëheqë në Mitrovicën e Veriut me kandidatin e saj, Erden Atiq, i cili fitoi 519 vota apo 66,5 për qind të votave, ndërsa pas tij janë renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 186 vota apo 23,8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 75 vota apo 9,6 për qind. Edhe në Leposaviq, kandidati i VV-së për kryetar, Lulzim Hetemi mori 100 vota apo 73,5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind.

Sipas rezultatit të KQZ-së, PDK-ja do të udhëheqë në Zubin-Potok, ngase kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 196 vota apo 52,1 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47,9 për qind.

Po ashtu, PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Komunën e Zveçananit ku Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind të votave, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind.

Sllagjana Pantoviq, serbja e vetme që garoi në këto zgjedhje, mori gjithsej pesë vota apo 2,6 për qind.

SHARE