ABAZOVIQ: ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME SA MË SHPEJT, POR NË PËRPUTHJE ME RENDIN LIGJOR

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin e tij teknik, Dritan Abazoviq tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pajtohet me qëndrimet se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt, por beson se kjo duhet të ndodhë përmes një “procedure ligjore” dhe se “rruga e duhur” është shkurtimi i mandatit në Parlamentin e Malit të Zi.

Dekreti i presidentit aktual Millo Gjukanoviq për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e zgjedhjeve për 11 qershor, siç vlerësoi ai, nuk është në përputhje me atë procedurë.

Abazoviq, i cili po viziton Shtetet e Bashkuara, tha se ka diskutuar edhe për ngjarjet politike, në radhë të parë rreth raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbyllura së fundmi, me të dërguarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Mendoj se Mali i Zi ka kaluar një test të madh demokratik. Asnjëherë një atmosferë më e relaksuar, mesazhe të mira nga të gjithë kandidatët, nuk do të hyj në atë se kush ka arritur çfarë rezultati. Mesazhe pajtuese, fokusi në disa gjëra që i takojnë të ardhmes, e jo të shkuares. Kjo është ajo që ne kemi dashur të shohim gjatë gjithë këtyre viteve. Shpresoj që edhe raundi i dytë të përfundojë në një atmosferë të ngjashme. Jam i sigurt se do të kemi një president të ri dhe kjo do të shënojë një fazë të re në krijimin e kushteve për disa procese të ardhshme politike në Mal të Zi, shpresoj shumë pozitivisht”, tha Abazoviq dhe shtoi se beson se gjyqtari i shtatë i munguar i Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhet së shpejti.

SHARE