1 MUAJ LUFTË NË UKRAINË, MIJËRA VIKTIMA

Kjo e Enjte shënoi një mujorin e nisjes së sulmit rus në Ukrainë, duke ndikuar negativisht jo vetëm në jetën e banorëve vendas, por edhe në gjithë globin.  Duke folur për televizionin britanik BBC, Volodimir Zelenski u bëri thirrje popujve të gjithë botës, të zhvillojnë protesta të mëdha kundër pushtimit rus të Ukrainës, siç tha, për të mbrojtur jetën dhe lirinë. Konflikti i ka marrë jetën deri më tani gati 2 mijë civilëve, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara. Në një muaj luftime 3.5 milionë ukrainas janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian, mbi 2 milionë të tjerë janë shpërngulur brenda vendit. Bombardimet e ushtrisë ruse kanë rrafshuar zona të tëra të banuara, ku spikat Mariupoli i shkatërruar në pjesën më të madhe të tij, e që dallon për rezistencën më e ashpër ndaj ushtrisë së Putinit, pavarësisht se ditët e fundit, atje mungojnë elementët më thelbësorë të jetesës, ushqimi, uji i pijshëm dhe shërbimi shëndetësor. I konsideruar si Stalingradi i Ukrainës, Mariupoli është dëshmi e qartë se Putin nuk i kishte bërë mirë llogaritë kur nisi goditjen, më 24 Shkurt. Ushtria ruse kishte planifikuar të kishte mbështetjen e banorëve vendas, duke pretenduar se do t’i çlironte nga qeveria pro-perëndimore që Putin e etiketon si naziste. Por përkundrazi, mbështetje nuk gjeti askund. Në një muaj luftime, rusët kanë humbur 15 mijë ushtarë, sipas Kievit, një shifër që nëse është e vërtetë, është e barabartë me viktimat që iu shkaktuar rusëve në 10 vite luftë në Afganistan. Pentagoni konfirmon të paktën gjysmën. Mediat perëndimore thonë se Putin ka humbur në këtë luftë një shifër rekord prej 15 ushtarakësh me gradë gjenerali. Humbjet e rënda edhe në makineritë ushtarake dhe mungesa e furnizimeve për shkak të rrënimit ekonomik nga sanksionet, e kanë ndryshuar strategjinë ruse të luftës, vetëm me bombardime me avionë e artileri. Ekspertët ushtarakë perëndimorë thonë se Putin tashmë nuk mendon më të pushtojë gjithë vendin, por është përqëndruar vetëm në lindje. 

SHARE