SOT U BË NJË VIT NGA IZOLIMI TOTAL I KOMUNËS SË TUZIT

Sot u bë një vitë nga nata e papritur dhe e paparashikuar kur Komuna e Tuzit dhe qytetarët e saj morën statusin e karantinës totale, me masat më të rënda  në rajon. Tre javë karantinë totale për më shumë se 15.000 banorë dhe 4800 familje, ka çuar në një sistem të ri të funksionimit për secilën zonë, për të mbrojtur jetën e qytetarëve, tashmë të rrezikuar nga virusi COVID19. Në atë kohë, me formimin e Shtabit emergjent u formuan koordinatorët me një numër të caktuar të vullnetarëve, të cilët rrezikuan jetën për t’u ardhur në ndihmë bashkëvendësve të vet. Në të njëjtën kohë, stafi i Shtëpisë së shëndetit në Tuz u mobilizua të mjekojë qytetarët, me aq kapacitete dhe me ato kushte që kishin në atë kohë. Nuk mungoi as mbështetja financiare dhe ndihma ushqimore të cilat komunës së Tuzit i erdhën nga Qeveria dhe institucionet shtetërore, firmat, kompanitë lokale dhe shtetërore, shoqatat, institucionet, organizatat humanitare, subjektet politike, OJQ-të, individët, nga vëllezërit dhe motrat nga diaspora, të cilët si çdo herë edhe kësaj radhe nuk u kursyen për të ndihmuar. Një meritë më e madhe dhe e veçantë u takon qytetarëve të Komunës së Tuzit, të cilët falë qytetarisë, mençurisë dhe vetdisiplinës së treguar, në respektimin e ç’do rregulli, kërkese dhe këshille të paraqitur, arritën jo vetëm ta përballojnë me sukses këtë sfidë, por edhe të bëhen shembull dhe model suksesi se si disiplina dhe përgjegjësia çoi në zbutjen graduale të masave. Nga komuna e Tuzit njoftojnë që kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në formë falënderimi, do të ndajë mirënjohje për të gjithë vullnetarët dhe donatorët, sapo të krijohen kushtet dhe të lirohen masat kundër pandemisë.

SHARE