KOMUNA E TUZIT DHE KRYEQYTETI PA MARRËVESHJE PËR NDARJEN E PASURISË

Këshilli Organizativ i Komunës së Tuzit dhe Kryeqyteti nuk arritën mbrëmë marrëveshjen për ndarjen e pasurisë. Pika e mosmarrëveshjes është ndërmarrja e deponive që ndodhet në kufijtë kadastral të Komunës së Tuzit. Të dy palët kanë sugjerimet e tyre se si të ndajnë pronat dhe pajisjet por me dallime shumë të mëdha. Komuna e Tuzit ka propozuar që të marrë përsipër ndërmarrjen Deponia dhe kreditit e saj, por Kryeqyteti nuk u pajtua. Ata gjithashtu kishin propozimin që Deponia të jetë në pronësi të Komunës së Tuzit, por ta menaxhojë dhe përdori edhe kryeqyteti ndërsa  Komunës së Tuzit ti paguhen disa qindra mijë euro në vit, as kjo nuk ishte e pranueshme për Kryeqytetin. Propozimi i kryeqytetit ishte që Deponia të mbetej në pronësi të tyre dhe që Tuzi të kishte një zbritje prej 50 përqind në shërbimet e tij. Anëtarët e këshillit organizativ të Komunës së Tuzit nuk ishin dakord me këtë propozim. Përfaqësuesit e Tuzit kërkuan që gjithçka në territorin e tyre t’u takojë atyre dhe ajo që është në territorin e kryeqytetit ti takojë Podgoricës. Poashtu përfaqësuasit e Komunës së Tuzit kërkojnë, që të gjitha ndërmarrjet ti marrin në paketë nga: tregu, shërbimet komunale, ujësjellësi, QKI Malësia, disa kamionë të pastërtisë, nëse në paketë nuk është edhe Deponia nuk do të ketë marrëveshje, shprehen ata. Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, komentoi shkurt mbrëmë se ai i kishte kërkuar kryetares të këshillit që të thërras takim zyrtar në të cilin do të konstatohet se nuk ka marrëveshje dhe të shkonte në arbitrazh. Sipas disa interpretimeve të Ligjit për Organizimin e Territorit, deri në marrëveshjen përfundimtare ose vendimin përfundimtar të arbitrazhit, të gjitha aktivitetet e biznesit të ndërmarrjeve të qyteteve në Komunën e Tuzit kryhen nga Kryeqyteti, dhe nga praktika e mëparshme Qeveria duhet të formojë një komision arbitrazhi. Siç mësohet në mbledhjen e mbrëmshme nuk u diskutua për ndarjen territoriale. Territori do të jetë tema e një prej takimeve të ardhshme të këtij këshilli organizativ.

SHARE