OBSH-ja U FRIKËSOHET 700,000 VDEKJEVE TË TJERA NGA KORONAVIRUSI NË EVROPË

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se në rast se vazhdon trendi i rritjes së rasteve me COVID-19, gjatë këtij dimri nga kjo sëmundje në Evropë mund të vdesin rreth 700,000 persona. Duke iu referuar rritjes drastike të rasteve me COVID-19 në kontinentin evropian, OBSH-ja, tha se numri i vdekjeve mund të arrijë deri në 2.2 milionë. OBSH-ja parasheh “stres të lartë në qendrat e kujdesit intensiv në 49 nga 53 shtete nga tani e deri më 1 mars 2022”. “Vdekjet e raportuara kumulative parashikohen të arrijnë mbi 2.2 milion deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, shtoi OBSH. COVID-19 është shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë Evropën si dhe Azinë Qendrore, raportoi OBSH-ja. Shtimi i rasteve në Evropë po nxitet nga një kombinim i variantit shumë ngjitës Delta, mbulimit të pamjaftueshëm të vaksinimit dhe lehtësimit të masave të tilla si vendosja e maskave dhe distancimi fizik, tha OBSH, raporton AFP. Sipas të dhënave të OBSH-së, vdekjet e lidhura me koronavirusin u rritën javën e kaluar në afro 4,200 në ditë, duke u dyfishuar nga 2,100 vdekje në ditë sa ishin në fund të shtatorit. “Situata me COVID-19 në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore është shumë serioze. Ne përballemi me një dimër sfidues”, tha në një deklaratë drejtori rajonal i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge. Ai bëri thirrje për një qasje “vaksina plus”, që nënkupton respektimin e distancës sociale, përdorimi i maskave dhe larjen e duarve. OBSH-ja tha se maskat reduktojnë mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 53 për qind sipas një studimi të fundit dhe “mbi 160,000 vdekje mund të parandalohen (deri më 1 mars) nëse arrihet mbulimi i përgjithshëm i maskave prej 95 për qind”.

SHARE