Liderët nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kanë shprehur solidaritetin e tyre me Maqedoninë e Veriut, pas aksidentit me autobus në Bullgari, ku vdiqën të paktën 46 persona. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë autoritetet maqedonase pas aksidentit në Bullgari. “Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shpreh gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, shkroi Kurti në Facebook. Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për tragjedinë në Bullgari. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij maqedonas, Stevo Pendarovski dhe kryeministrit Zoran Zaev. “Me mosbesim dhe pikëllim mora lajmin e tmerrshëm për vdekjen tragjike të pasagjerëve të autobusit në Bullgari. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndajmë me qytetarët e vendit tuaj. Serbia është me ju, e gatshme për të ofruar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme, sepse nuk jeni vetëm në këtë tragjedi”, ka shkruar Vuçiq. Edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq përmes një telegrami ngushëllimi drejtuar Pendarovskit ka thënë se shteti i tij ndan “dhimbjen me popullin maqedonas për jetët e humbura tragjikisht, në mesin e tyre edhe fëmijë”. “Ju lutemi përcillni ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urimet më të mira për pasagjerët e mbijetuar për shërim të shpejtë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq ka theksuar se tragjedia që ka ndodhur në Bullgari është humbje e pakompensueshme për krejt Ballkanin. Kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivokapiq ka shkruar në llogarinë e tuiterit se është i befasuar me lajmin tragjik. Me kryeministrat dhe të gjithë qytetarët e dy vendeve mike e ndajmë dhimbjen e pamat, ka shkruar Krivokapiq. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka shprehur ngushëllimet për familjarët e personave që vdiqën në “aksidentin tragjik me autobus” dhe tha se Evropa është në solidaritet me ju. Ndërkaq, komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi e quajti “tragjik” aksidentit me autobus në Bullgari. “Lajme të tmerrshme lidhur me aksidentin tragjik në Bullgari në orët e para të mëngjesit. Mendimet dhe ngushëllimet e mia për familjarët dhe miqtë e atyre që vdiqën dhe për popullin dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Varhelyi në Twitter, duke iu uruar shërim të shpejtë të lënduarve.