TATIMI I DYFISHTË, QEVERIA E KOSOVËS MIRATON NISJEN E NEGOCIATAVE ME MALIN E ZI

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se brenda periudhës korrik-shtator 2020, programi kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit u zbatua vetëm 35%.Si pasojë e kësaj, zëvendësi i kryeministrit Avdullah Hoti, kërkoi nga ministrat angazhim më të madh në realizimin e këtij programi. Gjithashtu në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ka miratuar nismën e negociatave për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Malin e Zi. Zëvendësministri Driton Selmanaj pasi informoi kabinetin qeveritar për zbatimin e planit kombëtar të MSA-së për periudhën raportuese korrik-shtator 2020, kërkoi nga ministrat një fokus më të madh në realizimin e këtij program. “Gjetjet tregojnë se brenda tremujorit të tretë 2020 programi është zbatuar në nivel prej 35%, 21 nga 59 masa të planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar plotësisht ndërsa 64% prej tyre ose 38 masa akoma nuk janë zbatuar plotësisht”, tha ai. Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së është dokument ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha organet e administratës shtetërore për zbatimin e masave afatshkurtra nën përgjegjësitë e tyre. Ndërsa lidhur me nismën për negocimin e marrëveshjes për eliminim të tatimit të dyfishtë dhe parandalim të evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, u bë e ditur se draft marrëveshja përmban 28 nene që janë kombinim i modelit të Kombeve të Bashkuara për tatim mbi të ardhurat dhe kapital.

SHARE