Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka kërkuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas takimeve të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Nju Jork.
Kallas u takua veçmas me Kurtin dhe Vuçiqin, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese”, tha Kallas.
Sipas saj, zbatimi i marrëveshjeve nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale.
BE-ja, tha Kallas, do të vazhdojë të jetë ndërmjetëse e paanshme, por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.








