GORÇEVIQ: PLOTËSUAM POTHUAJSE TË GJITHA DETYRIMET PËR MBYLLJEN E KAPITUJVE 23 DHE 24

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Mali i Zi ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat e Komisionit Evropian për mbylljen e përkohshme të kapitujve 23 dhe 24, tha ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, në Bruksel. Ajo theksoi se detyrimet e mbetura pritet të përmbushen deri në fund të muajit.

Duke folur në Këshillin për Çështje të Përgjithshme të BE-së, Gorçeviq tha se Mali i Zi ka përshpejtuar ndjeshëm reformat në sundimin e ligjit, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese, miratimin e më shumë se 30 ligjeve dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

Ajo veçoi edhe përparimin në luftën kundër korrupsionit, me rritje të numrit të hetimeve, procedimeve dhe vendimeve të formës së prerë.

Sipas saj, një nga reformat kryesore që ende nuk është përfunduar është raundi i dytë i ndryshimeve kushtetuese, që synon heqjen e imunitetit të anëtarëve të Qeverisë dhe mundësimin e kontrolleve të plota të integritetit të zyrtarëve publikë.

Gorçeviq tha se pret që opozita të sigurojë shumicën e nevojshme për miratimin e këtyre ndryshimeve.

Ajo theksoi gjithashtu përparimin në reformën zgjedhore, mbrojtjen e sinjalizuesve, kontrollin e prokurimeve publike dhe sigurinë e gazetarëve, duke vlerësuar se sundimi i ligjit mbetet themeli i së ardhmes evropiane të Malit të Zi.

SHARE