Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane / Ministarstvo evropskih poslova
Kryenegociatori i Malit të Zi me Bashkimin Evropian, Predrag Zenoviq, ka bërë të ditur se vendi ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për Kapitullin 27 (mjedisi dhe ndryshimet klimatike), me synim mbylljen në tremujorin e fundit të vitit 2026.
Ai, gjatë një aktiviteti në Parlamentin Evropian, theksoi se në dy vitet e fundit është bërë progres i dukshëm, sidomos përmes miratimit të ligjeve dhe strategjive kyçe si plani për menaxhimin e mbetjeve, ligji për ndryshimet klimatike dhe strategjia për zhvillim me karbon të ulët.
Një nga testet kryesore për mbylljen e këtij kapitulli është krijimi i rrjetit Natura 2000, për të cilin po zhvillohet një proces i gjerë konsultimi dhe pritet që propozimi të miratohet nga qeveria dhe t’i dërgohet Komisionit Evropian.
Megjithatë, mbeten sfida si kapacitetet e kufizuara administrative dhe financiare, veçanërisht në menaxhimin e mbetjeve, cilësinë e ujërave dhe politikat klimatike, si dhe nevoja për forcimin e inspektimeve dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve.
Zenoviq theksoi se mbyllja e Kapitullit 27 nuk do të jetë fundi i procesit, por fillimi i zbatimit më intensiv të standardeve mjedisore, duke e cilësuar mbrojtjen e mjedisit si përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm.










