SHBA ‘VULOS’ ARMËT PËR UKRAINËN / SENATI PRITETE TË MIRATOJË NDIHMËN USHTARAKE

Senati amerikan pritet të hedhë në votim gjatë ditës paketën e vonuar me ndihmë ushtarake për Ukrainën, e cila kap vlerën e rreth 60 miliardë dollarëve, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë tre ditë më parë pas shumë zvarritjeve.

Paketa, që përmban ndihmë tejet të nevojshme për ushtrinë e Ukrainës, pritet të kalojë në Senat gjatë ditës së sotme dhe t’i dërgohet presidentit amerikan, Joe Biden, deri në fund të javës për t’u nënshkruar.

Biden i tha të hënën gjatë një bisede telefonike presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Shtetet e Bashkuara “shumë shpejt do të ofrojnë paketa të reja dhe të rëndësishme ndihmash për të plotësuar nevojat urgjente të Ukrainës për t’u mbrojtur”, tha Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.

Ukraina është duke u përballur me një trysni të madhe nga Rusia muajt e fundit, për shkak se stoqet e saj në municione dhe kundërajrorë, po mbarohen.

Sulmet e pareshtura me dronë dhe raketa nga Rusia në qytetet ukrainase u kanë shkaktuar dëme të mëdha civilëve dhe rrjetit energjetik të vendit gjatë këtyre dy vjetëve luftë.

Zelensky shkroi në rrjetin social X se Biden i kishte thënë se do të firmoste paketën e ndihmës Ukrainën “sapo ajo ti binte në dorë”.

SHARE