QEVERIA E KOSOVËS ZGJERON PAKON E SANKSIONEVE NDAJ RUSISË

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën (23 mars) një vendim për zgjerimin e pakos së sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ky vendim synon që Kosova t’i përshtatet pakos ekzistuese të sanksioneve të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se me këtë vendim, Kosova zbaton edhe “pakon e katërt të sanksioneve të BE-së”. “Kjo pako konsiston në masa restriktive tregtare, ekonomike, financare, energjetike, industri të mbrojtjes, si dhe ndaj individëve dhe entiteteve shtesë”, tha Kurti. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se ky vendim po merret për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut dhe duke qëndruar “në linjë me aleatët ndërkombëtarë”. Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon fillestare me sanksione kundër Rusisë, më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të pushtimit në Ukrainë.

SHARE