NË PRAG TË NJËVJETORIT TË LUFTËS NË UKRAINË, SHEFI I OKB-së DËNON PUSHTIMIN RUS

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 22 shkurt dënoi pushtimin rus të Ukrainës si shkelje të Kartës themeluese të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.

Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u debatua për miratimin e një mocioni që mbështet Kievin dhe i kërkon Rusisë që të tërhiqet menjëherë dhe pa kushte nga Ukraina.

Ai e quajti pushtimin rus një “fyerje” për ndërgjegjen kolektive të botës. Guterres foli edhe për kërcënimet ruse për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

“Ne kemi dëgjuar kërcënime të nënkuptuara për përdorimin e armëve bërthamore. I ashtuquajturi përdorim taktik i armëve bërthamore është krejtësisht i papranueshëm. Është koha për t’u larguar nga ky qëndrim”, i tha Guterres Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh.

Dje, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se komuniteti global i ka kërkuar vazhdimisht presidentit rus, Vladimir Putin, që të mos i përdorë kërcënimet bërthamore në përplasjen e tij me Perëndimin për luftën në Ukrainë.

Në fjalimin e 21 shkurtit drejtuar kombit, Putini tha se është “i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”.

Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar Rusisë më 21 shkurt që ta rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e pjesëmarrjes në këtë traktat.

SHARE