GARANCI PËR KUFIJTË KOSOVË-SERBI DHE BAZËN E RE DETARE NË PORTO ROMANO

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe krerët e RMV-së, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, ka kërkuar dy garanci nga Aleanca Veriatlantike; kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe bashkëfinancim për ndërtimin e bazës së re detare të NATO-s në Porto Romano.

Rama i kërkoi NATO-s të sigurojë akses në këtë pjesë të Evropës, duke theksuar se duhet të zbatohet sa më shpejt kërkesa e Shqipërisë për ndërtimin e bazës së re detare.

“Dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë shumë që çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo thjeshtë për Shqipërinë, as thjeshtë për krejt rajonin tonë, por edhe për vete NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejtë në këtë anë të Europës, për çdo rast dhe për qëllimet strategjike të mbrojtjes së përbashkët. Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024, edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2 %, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare dhe ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar dhe shumë të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona, për të rritur efiçencën e forcave tona të armatosura dhe njëkohësisht mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta” tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama përsëriti edhe njëherë nevojën për shtim të forcave të NATO-s në Kosovë, duke theksuar se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit.

Sipas kreut të qeverisë, sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nuk duhet të konsiderohet si rast sporadik, por paralajmërim.

Rama i bëri thirrje Aleancës për ruajtje të kufirit Kosovë- Serbi nga NATO, pasi sipas tij ai është burimi i shumë të këqijave.

Kryeministri shqiptar i bëri thirrje Aleancës për të ndihmuar Kosovën në përshpejtimin e integrimit të saj në NATO.

“Është absurd që Kosova të pengohet në këtë proces”, tha kreu i qeverisë.

Rama propozoi që formati i ardhshëm i këtij takimi joformal të zhvillohet me praninë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të NATO-s, por kanë marrëveshje partneriteti.

Propozim ky, i cili u mirëprit nga sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Dëshiroj të bëj me dije që Sekretari i Përgjithshëm e priti me interes propozimin për të ndërtuar një format të një Samiti të NATO-s me Ballkanin Perëndimor ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në këtë rajon, por edhe vendet partnere të NATO-s, pra faktikisht vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që këtu sot nuk janë të pranishme, si edhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin meqë kanë një interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe për progresin demokratik të rajonit” tha Rama.

SHARE