Irani është shprehur i gatshëm të rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda shtatë ditësh, nëse Shtetet e Bashkuara ulin presionin ushtarak dhe heqin bllokadën ndaj porteve iraniane.
Sipas Reuters, një zyrtar i lartë iranian ka thënë se Teherani kërkon që SHBA-ja të deklarojë gatishmërinë për zgjidhje diplomatike dhe të dakordojë një afat për vazhdimin e negociatave.
Zyrtari ka deklaruar se propozimi i Iranit për t’i dhënë fund armiqësive i është përcjellë SHBA-së përmes ndërmjetësve më 16 shtator.
Megjithatë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars i ka mohuar këto raportime, duke thënë se Irani nuk ka ofruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët kryesore detare për transportin e naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare.








