Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi për thellimin e ndarjeve gjeopolitike dhe rritjen e kërcënimeve globale, në fjalimin hapës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Çarjet janë shndërruar në kanione”, deklaroi Guterres, duke theksuar se ndarjet politike janë thelluar dhe pabarazitë janë rritur.
Në fjalimin e tij, Guterres ngriti shqetësime edhe për zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale.
Ai paralajmëroi se njerëzimi po u transferon gjithnjë e më shumë fuqi makinave dhe se armët autonome të drejtuara nga inteligjenca artificiale po kalojnë nga skenarët fantastiko-shkencorë në një realitet ushtarak.
Sipas tij, institucionet ndërkombëtare nuk po përshtaten me ritmin e ndryshimeve teknologjike dhe të kërcënimeve të reja.
Guterres u ndal edhe te konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme, Sudan, Ukrainë dhe zona të tjera të botës.
“Vetëm fuqia ushtarake nuk mund të sigurojë paqen”, tha ai, duke bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar përballë krizave.
Fjalimi shënon nisjen e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në një periudhë kur Guterres po i afrohet fundit të mandatit të tij si Sekretar i Përgjithshëm, në fund të këtij viti.








