PAVARËSIA E KOSOVËS NUK SHKEL KARTËN E OKB-së

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dënuar fjalimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe tha se ishte një “tentim për shtrembërim të historisë” lidhur me Kosovën.

Gërvalla hodhi poshtë pretendimet e Vuçiqit se “zanafillën e agresionit rus në Ukrainë e sheh te pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhur kjo që i ndodhë Ukrainës sot”.

“Deklarata e shpalljes së pavarësia e Kosovës nuk është shkelje e ligjit ndërkombëtar, e as rezolutave dhe dokumenteve të tjera relevante të OKB-së, rrjedhimisht as Kartës së OKB-së. Këtë e ka gjykuar dhe vendosur trupi më i lartë juridik i OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj të nxjerrë më 22 korrik 2010,me kërkesë të vet Serbisë”, tha Gërvalla përmes një deklarate të lëshuar në orët e vona të 21 shtatorit.

Vuçiq para Kombeve të Bashkuara akuzoi shtetet Perëndimore se kanë “shkelur brutalisht” Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 12 44, duke e njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke “i mohuar të gjitha parimet që sot po i mbrojnë”.

Gërvalla në reagimin e saj po ashtu akuzoi Vuçiqin se gjatë fjalimit të tij në OKB shkeli zotimet e bëra në Marrëveshjen drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

“Më atë marrëveshje, presidenti i Serbisë është pajtuar edhe që Serbia të mos flasë në emër të Republikës së Kosovës në forumet ndërkombëtare, dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare, përfshirë OKB-në”, shtoi Gërvalla.

Ajo kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare, veçmas Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që të “dënojnë një gjuhë të tillë” të përdorur nga Vuçiq, dhe “t’ia rikujtojnë atij obligimet që ka marrë me pajtimin e shprehur në Bruksel dhe Ohër”.

SHARE