STUHI E TORNADO, PËRMBYTJET GODASIN AMERIKËN E VERIUT DHE AMERIKËN E JUGUT

Fenomenet ekstreme të motit po godasin njëkohësisht hemisferën perëndimore. Tornadot, stuhitë e forta dhe përmbytjet kanë përfshirë Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Kili reshjet intensive kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.

Një valë moti ekstrem po prek njëkohësisht Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, me tornado, stuhi të fuqishme, reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje që kanë vënë në alarm autoritetet.

Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 116 milionë banorë janë nën rrezik nga stuhitë e forta që pritet të sjellin tornado, erëra shkatërruese, breshër të madh dhe përmbytje të menjëhershme. Zonat më të prekura janë verilindja dhe lindja e vendit, përfshirë Nju Jorkun, Pensilvaninë, Nju Xhersin dhe rajonin e Atlantikut të Mesëm.

Autoritetet paralajmërojnë se erërat mund të arrijnë deri në 110 km/orë, ndërsa reshjet intensive rrisin ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve. Shërbimi Kombëtar i Motit konfirmoi gjithashtu një tornado të kategorisë EF-1 në shtetin e Nju Jorkut, me erëra që arritën rreth 153 km/orë, duke shkaktuar dëme në pemë, linja elektrike dhe ndërtesa.

Ndërkohë, në Amerikën e Jugut, Kili po përballet me një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore të viteve të fundit. Reshjet e dendura, të lidhura me fenomenin klimatik El Niño, kanë shkaktuar të paktën 10 viktima. Mbi 100 mijë persona janë izoluar nga përmbytjet, mijëra janë evakuuar dhe dhjetëra mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike ose ujë të pijshëm.

Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa rajone të vendit.

SHARE