Franca është bërë vendi i parë në Evropë që miraton një ndalim të përgjithshëm të aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Parlamenti francez miratoi përfundimisht ligjin, i cili synon të kufizojë përdorimin e platformave sociale nga të miturit, me hyrjen në fuqi të masës duke filluar nga viti i ri shkollor.
Presidenti Emmanuel Macron e cilësoi vendimin si një hap historik për mbrojtjen e fëmijëve në internet dhe një nga premtimet kryesore të mandatit të tij.
“Franca po udhëheq rrugën në Evropë për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët tanë. U zotova për këtë dhe tani është miratuar”, tha Macron.
Projektligji u miratua me 243 vota pro dhe 2 kundër në Senat, ndërsa më pas u ratifikua nga Asambleja Kombëtare me 279 vota pro dhe 81 kundër, duke përmbyllur disa muaj debati parlamentar.
Sipas ligjit të ri, fëmijët nën 15 vjeç nuk do të mund të krijojnë ose përdorin llogari në platformat e rrjeteve sociale. Ligji nuk përcakton një metodë të vetme për verifikimin e moshës, por ua lë këtë përgjegjësi vetë platformave, të cilat do të duhet të zhvillojnë mekanizma për të kontrolluar moshën e përdoruesve.
Jashtë Evropës, Australia ishte vendi i parë në botë që miratoi një kufizim të ngjashëm, duke ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.








