VANCE: PËRPARIM NË PLANIN PËR MARRËVESHJEN FINALE ME IRANIN

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se është arritur “përparim i mirë” në bisedimet për një udhërrëfyes drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqeje brenda 60 ditëve.

Përparimi përfshin garantimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, përfundimin e luftimeve në Liban dhe lejimin e vizitave të inspektorëve ndërkombëtarë bërthamorë në Teheran.

“Ne vendosëm një themel shumë të mirë për një marrëveshje të suksesshme përfundimtare”, u tha Vance gazetarëve më 22 qershor në resortin Burgenstock në Zvicrën qendrore, pasi bisedimet mes palëve u zhvilluan gjatë gjithë natës.

“Marrëveshja përfundimtare është shtëpia. Ne vendosëm themelet; nuk e kemi ndërtuar ende shtëpinë, por e kemi krijuar një bazë të suksesshme për të arritur një rezultat të mirë për popullin amerikan”, tha ai.

Pak hollësi kyc janë bërë të ditura, por marrëveshja duket se pasqyron synimet ambicioze të shpallura në memorandumin e mirëkuptimit (MOU) të nënshkruar javën e kaluar nga presidentët e SHBA-së dhe Iranit.

Ky memorandum la të hapura për interpretim shumë nga kushtet e një marrëveshjeje me 14 pika. Vance tha se Teherani është pajtuar ta lejojë kthimin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në vend dhe se palët kanë punuar për krijimin e një “mekanizmi bashkërendimi” për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit për transportet energjetike, si dhe për pastrimin e minave në zonë, me qëllim shmangien e ndërprerjeve në rrjedhat globale të naftës dhe gazit.

Më herët, ndërmjetësit e këtyre bisedimeve nga Katari dhe Pakistani, thanë se megjithëse negociatat formale për seancën e parë kishin përfunduar, diskutime të mëtejshme teknike do të zhvillohen nga delegacionet gjatë javës së ardhshme.

Sipas tyre, do të krijohen “grupe pune” për të trajtuar çështjet bërthamore, sanksionet, si dhe një grup për vëzhgimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, me qëllim sigurimin e zbatimit efektiv të memorandumit të mirëkuptimit dhe çështjeve të tjera.

Ministria e Jashtme e Iranit, në komente të raportuara nga mediat shtetërore iraniane, tha se bllokada amerikane ndaj porteve është hequr, se “disa asete të ngrira” janë liruar dhe se ka nisur një “plan i madh zhvillimi dhe rindërtimi për Iranin”.

SHARE